GOXO QË TË FITOSH

  • 0

GOXO QË TË FITOSH

Category : Uncategorized

Promovohet romani “GUXO” i shkrimtarit Fadil Kraja, kushtuar biznesmenit të suksesshëm shqiptaro-amerikan Ndue Ftoni

Nga RAMAZAN ÇEKA

 

FADIL KRAJA

Fadil Kraja, Dramaturg / Shkrimtar

Në prag të festave të Nëntorit, në ambjentet e bibliotekës “Marin Barleti” të qytetit të Shkodrës, Shoqata “Atdhetare Dukagjini” dhe Shoqata e Shkrimtarëve Shkodër, organizuan promovimin e romanit me titull “Guxo”, të autorit Fadil Kraja.

Romani “Guxo”, që pasqyron Sagën e një djaloshi shoshjan, mban firmën e dramaturgut dhe shkrimtarit të shquar Fadil Kraja “Mjeshtër i Madh”, i cili u paraqit në këtë vepër të re, para një auditori të ndryshëm nga herët e tjera, ku përveç kolegëve, merrnin pjesë edhe shumë miq e dashamir të z.Ndue Ftoni që kishte ardhur nga Amerika, për të qenë të pranishëm në këtë eveniment.

Z.Ndue Ftoni ka lindur në Shosh të Dukagjinit dhe si shumë bashkatdhetar të tjerë, emigroi në Amerikë, ku falë aftësive të tij intelektuale, guxoi të integrohej në jetën e zhurmshme amerikane, ku ndërtoi “një varkë” që i përballoi të gjitha tallazet dhe furtunat, duke u bërë kështu një shembull për të gjithë bashkatdhetarët e vet, jo vetëm si një biznesmen i suksesshëm, por edhe si një “mecenat” për të gjithë artistët dhe këngëtarët me origjinë shqiptare që jetojnë në Amerikë.

Këtë veprimtari, këtë guxim, pasqyron në librin e tij “Guxo” shkrimtari i shquar Fadil Kraja, ku një pjesë të kësaj veprimtarie të suksesshme ai e pa me sytë e tij dhe e përjetoi vetë në udhëtimin e tij në Amerikë, ku ishte dhe mik i nderuar i z.Ndue Ftoni.

Hapjen e këtij promovimi e bëri shkrimtari Prelë Milani, që është njëkohësisht edhe autor i parathënies së këtij romani. Ai prezantoi para auditorit veprën më të re “Goxo” të shkrimtarit Fadil Kraja, por njëkhësisht solli përmes fjalës së tij edhe fragmente nga jeta dhe veprimtaria e protagonistit të romanit, Ndue Ftoni që në libër autori e quan Dash Kola.

Nën prezantimin e moderators-aktores së teatrit “Migjeni”, Rajmonda Marku, për vlerat e romanit e të autorit ligjëruan redaktori i veprës e njëkohësisht kryetar i shoqatës atdhetare “Dukagjini”, Ndue Sanaj, autori i parathënies, poeti e publicisti Prelë Milani, kryetari i Shoqatës së Shkrimtarëve të Shkodrës, Skënder Temali, kritiku letrar-Kadri Ujka, studiuesja Arjeta Ferlushkaj, etj.

Aktorja e teatrit “Migjeni”, Rajmonda Marku në prezantimin e këtij takimi tha: “Këtë liber autori ia ka kushtuar z.Ndue Ftonit, një trashëgimtari të denjë të banorëve alpinë, i cili me shumë vullnet, me shumë dinjitet ka arritur të krijojë personalitetin e tij jashtë trojeve shqiptare, në Amerikë, si një biznesmen i suksesshëm, por edhe si një njeri human me vlera atdhetare…njeri nga miqtë me të mirë të artistëve shkodranë e jo vetëm, i cli ka dhënë pa ndërprerje ndihmën e tij bujare për t’i prezantuar ata me artin e tyre para bashkëkombasve tanë në Amerikë. Unë jam një prej shumë artistëve të ftuar prej tij, në aktivitete të bukura që ai organizon në Detroit e pikërisht në “The Imperial House” që e drejton me shumë sukses. Konsideratë për te dhe familjen e tij ,znj.File e femijët e për mikpritjen e veçantë. Suksese në jeten dhe punën e tyre”!

Nga Anglia, anëtarja më e re e shoqatës së shkrimtarëve të Shkodrës, Amina Meshnuni, e cila studion atje, i kishte dërguar Mjeshtrit Kraja një tufë me lule të freskëta.

Impresion solli para auditorit prania dhe dalja e Ndue Ftonit me bashkëshorten dhe fjala që ai mbajti, e cila u ndërpre disa herë nga duartrokitjet e të pranishëmve.

NDUE FTONI

Ndue Ftoni-Biznesmen

Vetë Ndue Ftoni i pranishëm në promovimin e romanit që i kushtohet atij dha disa mesazhe.

“Ka njëzet vite që unë jam larguar nga vendi im. Lot, mall, djersë, mund, pare, humbje, fitore. Është e njëzet e pesta herë që unë vij nga Amerika në vendlindjen time, e cila nuk ka mundur të ma mposhtë shpirtin të cilin për dyzet vite i kam kaluar me ju. Amerika me më dhanë tërë pasurinë e saj nuk mundet të ma barazojë me pasurinë që kam lënë këtu në Shqipëri. Ju jeni ata që peshoni në vendi tuaj, fëmijët tanë nuk mund të jenë shqiptarë të denjtë ashtu siç jemi ne, por është detyra jonë që ata t’i rrisim me dashuri për atdheun, për vendin e të parëve”.

Në fund u dëgjua me interes dhe përshëndetja e shkrimtarit Fadil Kraja, i cili edhe nënshkroi autografe për romanet e dhuruara.

E veçanta e këtij “romani”, qëndron në atë, që prof.Fadil Kraja shpesh e ka thënë … Pse nuk shkruajmë për njerëzit sa janë gjallë, por vetëm kur ata nuk jetojnë më!? Ketë ide, ka kohe që ky shkrimtar i madh e ka vënë në jetë.

Para pak kohësh shkroi për futbollistin e madh, Ramazan Rragami, shkroi për femrat shkodrane që po bëjnë emër në jetën shkodrane dhe më gjerë, e të tjera e të tjera.

Edhe në ketë roman, personazhi kryesor është një djalosh, që u bë një figurë e njohur, një dukagjinas i njohur dhe ndër të rrallët si njeri  dhe nga vepra e tij.

Është  shumë i dashur, i respektuar, largpamës, i guximshëm, bujar, madje sikur bujaria ka lindur së bashku me te.

Personazhet e Krajës janë gjallë dhe vijojnë të kontribuojnë, vijojnë të kenë suksese gjithnjë në rritje, siç është rasti i  biznesmenit të njohur Ndue Ftoni. Por e veçanta e Ndojës nuk vjen nga hiçi. Ai vjen nga puna e pa ndalur. Ai është një biznesmen i suksesshëm në shtetin e Miçiganit në SHBA!

Kjo ikonë e letërsisë shqipe di ku t’i gjej heronjtë e veprave të tij.

Në gjurmët e Fishtës, në kullat e Dukagjinit dhe të Malsisë, në të gjithë hapsirën shkodrane, aty ku janë shkruar faqet me të lavdishme të historisë epike dhe sociale të këtij qyteti.

Në mbyllje të këtij takimi, në “Grand Hotel Europa”, Ndue Ftoni shtroi një koktejl për të pranishmit.

I gjithë aktiviteti ku morën pjesë edhe artistë të shquar nga Shqipëria dhe Kosova u regjistrua nga kamerat e stacioneve televizive lokale e kombëtare, por edhe nga vetë televizioni ACTV në Michigan që është pronë e z.Ndue Ftoni, në mënyrë që ky përurim të publikohet edhe në SHBA.

Vetë z.Ndue Ftoni u largua nga Atdheu me mbresa të jashtëzakonshme, me frymëzimin dhe vitalitetin e tij që e karakterizon, për ta përçuar këtë atmosferë vllazërore mes bashkatdhetarëve të tij në Amerikë, i përgatitur për të festur festat e fundvitit me ta, ashtu siç u festua Dita e Flamurit në “Imperial House”, por që gjatë festimit dukej sikur po festohej në Shqipëri.

Gjatë ceremonisë festive me 28 Nëntor 2015 pata fatin të isha i pranishëm edhe unë atje, me ftesën e tij dhe ta përjetoj këtë atmosferë patriotike, emocionale, të cilën nuk do ta harroj kurrë.

 

Dhjetor 2015

 


Leave a Reply