Në përkujtim të mikut tonë Dedë Beleshi

  • 2

Në përkujtim të mikut tonë Dedë Beleshi

Category : Komuniteti

Dede Beleshi1Komunitetit shqiptar në Michigan u përball këto ditë me një lajm tepër të trishtueshëm. U nda nga jeta në një moshë të re një nga bashkëatdhetaret tanë më aktiv dhe më të njohur. Nuk ndodhet më mes nesh Dede Beleshi, një nga sipërmarrësit e suksesshëm shqiptar në Michigan. U nda prej nesh një bashkëatdhetar, i cili identitetin dhe origjinën shqiptare e shndërroj në thelb krenarie. Një inxhinier, një intelektual i mirfilltë që të bënte krenar në prezantimin e vlerave tona të përbashkëta përpara miqve të shumtë amerikan.

Po kush ishte Dedë Beleshi?

Perkujtojme mikun tone Dede Beleshit from ACTV Albanian Community TV on Vimeo.

Ai u lind në Mirditë, në krahinën më historike dhe më qëndrestare. U diplomua në vitin 1985 si inxhinier në degën e Gjeologji Minierave në Universitetin shteteror të Tiranës. E filloi karrierën e tij në sektorin e vështirë të minierave dhe pas një periudhe relativisht të shkurtër në vitin 1989 u emërua kryeinxhinier i minierave në zonën e Rubikut. Në vitin 1992 Dedë Beleshit iu besua detyra e drejtorit të minierave, detyrë të cilën e përmbushi me sukses deri në vitin 1994 kur ai vendosi të emigronte në Amerike.

Mbrritja e tij në tokën e premtuar ishte pak a shume një histori që ngjason dhe përsëritet me të njëjtën linje narrative për të gjithë shqiptarët. Një jetë e re përtej Atlantikut, në një vend të begatë, të zhvilluar,  padyshim mikpritës dhe të dashur për shumë emigrantë. Deda ja doli shpejtë të intergohej në punë të kualifikuara që kërkonin një edukim më të avancuar. Në vitin 1996 ai u emërua menaxher në kompaninë MESA Services, e cila realizonte trajnime profesionale dhe përgatiste dhe punësonte punonjës fabrikash dhe ndërmarjesh të industrive të ndryshme.

Dede Beleshi-Photo Slide Show from ACTV Albanian Community TV on Vimeo.

Ne vitin 2004 Dedë Beleshi me punën e tij të palodhur u bë pronari i kompanine MESA Services me të cilën zhvilloi aktivitet biznesi nën një emër të ri të quajtur AALB Services. Ai ndihmoi dhe punësoi me qindra bashkëatdhetarë të cilët patën nevojë imediate punësimin e tyre.  Shumë shpejtë zyra e tij u shndërua në një vend kontakti për shumë bashkëatdhetarë, të cilët kërkonin here here një përkthim, diku nje interpretim, madje në ndonje rast edhe ndihme mjeksore që nuk kishte asnje lidhje me kontratat e biznesit te kompanisë AALB Services. Dedë Beleshi nuk refuzoi dhe nuk u ankua asnjëherë për oraret e tij të zgjatura, por me një përkushtim dhe admirim të veçantë i inkurajonte bashkëatdhetaret që të ishin optimist, sepse shumë shpejtë do t’ja dilnin të integroheshin dhe të arrinin suksesin me punën e tyre.

Paralelisht me kompaninë e mësipërme Dedë Beleshi themeloi kompaninë telefonike Iliria Telecom, padyshim një nga më të suksesshmet në fushën e telekomunikacionit me Shqipërine. Sfidat dhe përballjet në këtë industri ishin shumë më të mëdha për shkak të operimit në një industri dinamike dhe mes dallgëve të revolucionit teknologjik të këtij fillimshekulli në fushën e telekomunikacionit. Ai ja doli ta shndëronte Iliria Telecom në kompaninë e parë solide shqiptare në Michigan me një platformë të avancuar dhe me një investim serioz edhe në Shqipëri.

Dedë Beleshi dhe Iliria Telecom arritën t’ju shërbejnë denjësisht mijra familjeve shqiptare me shërbim telefonik bashkëkohor dhe tepër të avancuar, kudo në Amerikë, por edhe në Kanada.

Por Dedë Beleshi nuk u fsheh mbas punës dhe biznesit të tij privat. Ai ishte një zë i njohur intelektual në komunitetin shqiptar në Michigan. Ai ishte ativ dhe kontribues me të gjitha institucionet, shoqatat dhe çështjet që preokupojnë shqiptarët në emigracion. Ai ishte gjithashtu një pikë kontakti e besuar për shumë nga zyrtarët e zgjedhur amerikan në pushtetin lokal dhe atë qëndror.

Duke mbajtur edhe detyrën e përfaqësuesit në Michigan të dhomës shqiptare të tregëtise dhe industrisë, ai themeloi në vitin 2011 organizatën jo fitimprurëse AACEE për shkëmbimet kuturore dhe ekonomike mes Shqipërise dhe Amerikës. Disa nga projektet e kësaj organizate do të ishin binjakëzimi dhe firmosja e memorandumit të bashkëpunimit mes Macomb County-it dhe Bashkise Shkodër, projekt i cili do të kulmonte me organizimin e “Ditës Shqiptare” në Michigan. Ky projekt i rëndësishëm pritet të organizohet në bashkëpunim me Kongresin e Shtetit të Michiganit dhe zyrën e Presidentit të Republikës së Shqipërisë.

Dedë Beleshi padyshim ishte një nga promotorët e ketyre projekteve që do të mbeten një trashëgimi e çmuar e punës së tij.

Si pjesë e angazhimit të tij në çështjet e komunitetit shqiptar në Michigan, Dedë Beleshi shërbeu gjithashtu edhe si Kryetar i Bordit i Televizionit te Komuniteti ACTV. Ai ishte një intelektual i urtë me një arsye dhe pjekuri befasuese. Optimist dhe i apasionuar me gjithçka pozitive që prezantohej në komunitet. Një motivues shembullor, një promovues i pashembullt i identitetit shqiptar, një punëtor i palodhur dhe një ëndrrimtar i madh.

Dedë Beleshi ishte padyshim një familjar shembullor. Një prind, një baba i emancipuar dhe ambicioz për edukimin e fëmijeve të tij. Ai ishte krenar për djalin e tij Enin, i cili mban një pozicion dinjitoz profesional në fushën e financave. Ai ishte ëndrrimtar për shkollimin dhe të ardhmen e Julias, e cila është ende në shkollë të mesme. Dedë Beleshi pati sukses në jetën e tij, sepse pati një bashkëshorte të  mbrekullueshme dhe të respektuar si Shqipen. Dedë Beleshi dukej se i kishte të gjitha, kur papritmas vrulli i tij u ngadalësua nga një sëmundje e papritur, e cila nuk e lejoi të vazhdonte ëndrrën amerikane të ngritur me shumë mund dhe punë.

Dedë Beleshi u nda nga jeta në daten 17 Dhjetor, 2015, në moshën 58 vjeçare, duke i rrezistuar me kurajo një përbindeshi biologjik, një sëmundjeje të rëndë, përpara së cilës edhe shkenca ambicioze e mjeksisë amerikane u dorëzua pa kushte.

Ai iku paqësisht i rrethuar nga familjarët dhe të afermit e tij të dashur, pa u ankuar shumë, duke krijuar një boshllëk te madh, aq të madh sa edhe vetë pesha e përgjegjesive që ai kishte marrë përsipër si prind, bashkëshort, familjar, intelektual, aktivist, biznesmen, shok i mire, si shqiptar patriot që jetoi një jetë të gëzueshme mes dy botëve. Nga njëra anë atdheu, nëna, motrat, nipat dhe mbesat, por edhe progresi dhe zhvillimi demoktratik dhe ekonomik i tij.
Nga ana tjetër Amerika, familja, biznesi, shoqëria, komuniteti dhë ëndrrat për të ardhmen.

Janë ato ëndrra që për Dedë Beleshin ndaluan si ajo stafeta që duhej të përcillej më tej. Dedë Beleshi iku shpejtë, por edhe realizoi shumë. Ai lë pas një trashëgimi të vlerësuar njerëzore dhe profesionale. Ai la pas një emër të mirë, për të cilin ai do të kujtohet dhe nderohet nga të gjithë ata që e njohën, që bashkëpunuan, që rrugëtuan më të një cope udhë të jetës.

U prefsh në paqe miku jonë i shtrenjtë Dede Beleshi!

 

Eduart Aliko


2 Comments

Tonin Beleshi

December 28, 2015 at 2:57 pm

I Nderuar dhe respektuar gjithmon Eduart Aliko,pasqyron nje jet reale te vellajt tim Deda.Qe ja perkushtoj jeten me deshir komunitetit ..Ngelet nje njeri Shpirt bardhe dhe zemer te madhe,te gjith ata qe e kan njohur nga afer.Deda ishte simbol fisnikerise,traditave Mirditore,intelektual, dhe mbetet I krenarise Shqiptare.Te gjitha projektet dhe enderrat me miqt USA do kisha deshir te qoheshin deri ne fund me emrin e tij..Duke mbajtur larg mbeturinat dhe funderrinat e politikes Shqiptare..

Sytki Ndrecaj

July 7, 2016 at 9:24 am

Ndonëse me vonesë por tek lexova këtë shkrim të Eduart Aliko për jeten e vepren e të ndjerit Ded Beleshi i cili fati i keq e deshi të mos e kemi më mes nesh edhe unë deshiroj të lë disa kujtime për këtë njeri vërtet fisnik me zemër kurdoherë shqiptarë. Mua më ka rënë rasti që ta njoh nga afër e të pi disa herë kafe me të ndjerin Ded Beleshi por kujtimet do jenë kurdoherë të mira për këtë njeri që fjala i ngjiste si zam, zërin e kishte të ëmbël si bilbil, e paraqitjen vërtet burrërorë. Nuk e njoha Dedën në Amerikë, as në Mirditë e as në bisnese por e njoha mes shokësh e miqsh që i kishte të panumërt. E njoha në Shkodër, e njoha në Tiranë etj. e pse kam qendruar në qytete të ndryshme me të për mua ishte po i njëjti Ded Beleshi, me atë të qeshuren e tij karakteristike, me atë veshtrim prej dashamirësi e me atë seriozitet prej intelektuali korrekt. Ded Beleshi u prehtë në paqe e familja, të afërmit, miqtë, shokët e kolegët e tij të kenë jetën e duke e kujtuar gjithmonë mikun tonë të përbashkët Ded Beleshi. Nga Sytki Ndrecaj Koplik, Malësi e Madhe.

Leave a Reply