PRIJËSI I KRYENGRITJES SË MALËSISË, NË TIRANË

  • 0

PRIJËSI I KRYENGRITJES SË MALËSISË, NË TIRANË

Category : Trojet Shqiptare

Shkruan:Kristjan Gj. Dukaj

IMG_1182 Për shumë mot festa! Urim tradicional me rastin e festave në hapësirën mbarëshqiptare. Sa bukur! Me pak fjalë  por  shumë domethënëse, shqiptarët përgëzojnë njëri-tjetrin në rastet e festave; urim që reflekton dëshirë, shpresë, besim, sinqeritet dhe dashamirësi  vëllazërore.

Prandaj, edhe me rastin e 28 Nëntorit- Ditës së Pavarësisë së Shqipërisë, gëzuar e përgjithmonë  Lirinë  dhe Pavarësinë Kombëtare. Sa emocione të thella përjeton zemra shqiptare nën  tingujt e himnit kombëtar, me rastin e festës më të madhe në historinë e lavdishme të këtij populli, sa të lashtë  po aq të vuajtur,  shekuj me radhë në luftë për liri e pavarësi. Për lirinë e tokës shqiptare të trashëguar nga brezi në brez, me vlera të lavdishme dhe të përjetshme mbi themelet e vendosura nga Gjergj Kastrioti Skenderbeu dhe kulmin e vendosur në Vlorë, mbi muret e kullës  heroike të tokës arbërore. Brezi i ri, i frymëzuar nga sakrifica dhe vlera të shumta e që reflektojnë atdhedashurinë, shpresë  e besim dhe mbi të gjitha, krenari kombëtare, duke përkujtuar historinë e lavdishme, ndërton të ardhmen e vet më të bukur dhe më të sigurt në tokën e të  parëve, të quajtur Shqipëri.

28 Nëntori, është rasti më i mirë jo vetëm  në përkujtim të vlerave por edhe për tu frymëzuar në ruajtjen dhe kultivimin e tyre nëpër shekuj. Njëjtë, ishte edhe këto ditë me rastin e aktiviteteve të organizuara  në Kryeqytetin shqiptar, mes tjerash edhe në vendosjen e përmendores së Dedë Gjo’  Lulit,  prijësit të Kryengritjes së Malësisë së Madhe në vitin 1911. Kësaj ngjarje të shënuar historike e cila i parapriu ngritjes së Flamurit Kombëtar në Vlorë, një vit më vonë.

Nuk kam për qëllim që në këtë shkrim të shkurtër të thellohem në këtë  ngjarje të lavdishme  të historisë sonë, pasi për të janë shkruar  libra dhe publikuar punime të shumta shkencore,  letrare e folklorike, por 28 Nëntori i këtij viti  në kryeqytetin e shtetit tonë amë, i dha vendin e merituar këtij trimi i cili sakrifikoi gjithçka kishte për  lirinë dhe pavarësinë e tokës shqiptare.

Vendosja e përmendores së tij në  këtë vend të bukur pranë muzeut historik kombëtar, sikur na kujton një histori të tërë  e cila ruan në vete  me besnikëri  amanetin e këtij heroi mbarëkombëtar  për dashuri vëllazërore  në ruajtjen e vlerave të trashëguara dhe ndërtimin e të ardhmes së popullit shqiptar. Edhe këtë  ditë, në vigjilje të Ditës së pavarësisë, kryetrimi Dedë Gjon Luli, kishte tubuar bijtë e tokës arbërore rreth idesë së shenjtë për të festuar dhe gëzuar së bashku. Ishin tubuar këtu vëllezër të shumtë nga hapësira mbarë shqiptare, e në veçanti bashkëvendës tonë të shumtë që jetojnë larg  vendlindjes, në mërgim në nderim të kësaj ngjarje të shënuar  në Tiranë.

Të gjithë ata, u përkulën para përmendores së këtij heroi kombëtar, të cilin po atë ditë, kreu i shtetit shqiptar, Z.Bujar Nishani, e nderoi  me dekoratën e “Flamurit Kombëtar”. Në këtë mënyrë, pasardhësit e tij, pastaj të mbarë fisit  dhe kombit  në përgjithësi, dëshmuan “Besën” e njohur në këto hapësira në ruajtjen e vlerave të shenjta si frymën e shpirtit tonë kombëtar. Bashkëvendësit  tonë që jetojnë në mërgim ( Shoqatat “Malësia e Madhe”, nga  Nju Jorku,  dhe nga Michigani, në SHBA), nuk e kursyen djersën e vet  në ndërtimin e përmendores  në shenjë mirënjohjeje për sakrificën më të madhe të Dedë Gjon Lulit për lirinë e këtyre trojeve. Shumë nga ata, edhe pse jetojnë larg  vendlindjes, kishin ardhur  atë ditë në Tiranë, të përjetojnë   këtë moment të paharruar së bashku me vëllezërit e vet  në respekt të kaluarës sonë të lavdishme, e cila i flet të tashmes dhe të ardhmes sonë.


Leave a Reply