Category Archives: Trojet Shqiptare

  • 0

Intervistë me deputetin Nikë Gjeloshaj

Category : Trojet Shqiptare

Intervistë me Nikë Gjeloshaj, deputet në parlamentin e Malit të Zi

“Problemet personale të disa individëve janë e vetmja pengesë për bashkimin e partive shqiptare”- Nikë Gjeloshaj

IMG_8936

Kristjan Gj. Dukaj

Intervistoi Kristjan Gj. Dukaj

K.D: Të jesh deputet në parlamentin shtetëror, në radhë të parë, nënkupton përfaqësimin  e  interesave dhe nevojave të  votuesve në nivelin më të lartë ligjdhënës. Sa jeni i kënaqur me kushtet ekzistuese në përfaqësimin dhe realizimin e interesave të popullatës shqiptare  përmes veprimtarisë  tuaj, si deputet?

N.Gjeloshaj:Nuk mund të jem i kënqur me kushtet ekzistuese në përfaqësim, sot në Parlamentin e Malit të Zi jemi  vetëm dy deputet nga partitë nacionale dhe kjo për mendimin tim është shumë pak. Ligji për zgjedhjen e këshilltarëve dhe deputetëve kur është fjala për shqiptarët është mjaft diskriminues dhe kështu edhe përfaqësimi politik nuk ka peshën që duhet të ketë në këtë parlament. E kamë thënë shumë herë  në Parlament se edhe  përkundrejtë angazhimit tonë,  kërkesat tona nuk janë realizuar plotësisht, ato që janë realizuar në përgjithësi nuk kanë qenë të plota dhe kanëpatur shumë mangësi. Janë bërë disa veprime pozitive në përmirësimin e jetës së qytetarëve, por nëpëgjithësi kanë qenë projekte lokale të rëndësishme për komunitetin por në shumicën e rasteve ka munguar vullneti politik për realizimin e kërkesave tona. Duhet të kemi parasyshë fuqinë tonë politike dhe në bazë të kësaj të vlerësojmëedhe arritjet dhe mosarritjet në punën tonë.

K.D: Cilat janë vështirësitë më të mëdha në aktivitetet  tuaja të  përditshme si deputet?

Nika

Deputeti Nikë Gjeloshaj

 N.Gjeloshaj:Përveç asaj që paraqitet në media dhe seanca parlamentare deputetët kanë edhe shumë punë të tjera në zyrat e Kuvendit. Çdo punë ka vështirësitë e veta, kemi komisione, seanca, mbledhje, përgatitje, materiale voluminoze të cilat realisht janë pjesa e panjohur  e punës së një deputeti nga opinioni publik, por kur puna bëhet me pasion atëherë edhe vështirësit tejkalohen. Përgjegjësia është faktori më i rëndësishëm në këtë mes, ndoshta shumë herë disa gjëra mund të realizohen më lehtë në qoftë se do të kishim një unitet mes subjekteve tona. Kur është fjala për merita të gjithë duan të bëhen pjesë e tyre, kur vjen puna tek mosrealizimi i objektivave atëherë mundohen që të gjithë përgjegjësinët’ja kalojnë përfaqësuesit në parlament.

K.D: Kohë më parë në Kuvend  është miratuar Ligji i ri për organizimin territorial me të cilin është paraparë që  KU e Tuzit, të jetë Komunë në kuadër të Kryeqytetit. Miratimit të këtij ligji, i ka paraprirë nënshkrimi i marrëveshjes  për zgjidhjen e ofruar.  Ju, nuk kini votuar  këtë propozim ligj. Pse?

N.Gjeloshaj:Në Parlament janë diskutuar dhe më pas janë hedhur në votim katër ligje, që në thelb kanëpatur ndryshimin e statusit të Komunës Urbane të Tuzit dhe Gollubovcit. Kërkesa jonë ka qenë e qartë, ne në programin partiak e kemi të theksuar qartë angazhimin tonë për vetqeverisje lokale, por siç e theksova më lartë edhe kjo kërkesë nuk është realizuar plotësisht, por ka mangësi të dukshme. Realisht ka disa faktor që janë lehtësisht të dallueshëm që tregojnë se kjo lloj vetqeverisje lokale i jep një autonomi më të madhe seç  ka patur deri më tani Komuna Urbane, por nuk është ajo që kemi kërkuar ne për vite të tëra.  E përderisa nuk është ajo që kemi kërkuar atëherë nuk mund të votoja një gjë të tillë.

K.D: Është e  qartë se korpusi politik shqiptar nuk është unik, madje, as rreth  çështjes së komunës së plotë. Raportet e këtilla mes subjekteve nacionale shqiptare, s’do mend, kanë ngadalësuar realizimin e çështjeve të shumta me interes të përgjithshëm  nacional. Cili është opinioni Juaj?

N.Gjeloshaj:Pluralizmi politik e mundëson një gjë të tillë. Për mendimin tim kur është fjala për komunën e plotë të gjitha subjektet politike shqiptare kanë qendrim pothuaj të njejtë, por rrugën për ta relizuar këtë jo të gjitha subjektet e kanë të njëjtë. Kur është fjala për unitetin e partive nacionale për fat të keq edhe përkundrejtë tentativave të ndryshme si tonat ashtu edhe të diasporës është parë një hezitim i madh nga disa subjekte. Për mendimin tim partitë shqiptare ka shumë gjëra programore dhe parimore që i bëjnë bashkë. Është e vështirë të gjesh ndryshime të mëdha mes tyre, përveç mjetit që ato përdorin për realizimin e kërkesave të tyre. Është tejet e dukshme që problemet personale të disa individëve janë e vetmja pengesë për këtë unitet të munguar.

K.D: Tashmë një kohë të gjatë, përfaqësuesit e subjekteve nacionale shqiptare, kanë iniciuar bisedimet për formimin e një liste sa më të gjerë të përbashkët, në zgjedhjet e ardhshme parlamentare që duhet  të mbahen brenda këtij viti. Deri ku është arritur me negociatat e deritashme?

N.Gjeloshaj:Kjo ka qenë një iniciativë e Partisë Demokratike dhe është pritur mirë nga shumica e subjekteve. Edhe në këtë proces ka pasur devijime të çuditshme që për fat të keq nuk kanë treguar gjë tjetër përveç asaj që theksova më lart. Besoj se është në interes të përbashkët që kjo gjë të realizohet në mënyrë që të kemi një përfaqësim të denjë, që do mundësonte realizimin e kërkesave tona në mënyrën e duhur. Bisedimet ende vazhdojnë dhe personalisht jam optimist se në zgjedhjet e ardhshme do kemi një program gjithëpërfshirës që qytetarët do ti japin përkrahjen e nevojshme.

K.D: Është e njohur se as vetë subjektet nacionale shqiptare, mjaft shpesh, nuk i kanë respektuar marrëveshjet,  me mos respektimin e obligimeve ndaj partnerëve si përbërës të koalicioneve. Si do të reflektohet kjo në rrjedhën  e negociatave aktuale, ose në përfundimin me sukses të tyre?

 N.Gjeloshaj:Mosrespektimi i marrëveshjeve nuk është fenomen i muajve të fundit. Është një fenomen që ka ndodhur pas çdo procesi zgjedhor, por ndryshimi është se disa flasin dhe bëjnë zhurmë vetëm kur ju cenohet pozita e tyre, në të kundërt, kur ata cënojnë vazhdimisht pozitat e tjetrit kurrë nuk flasin për këtë gjë. E them me plot bindje se deri më tani më e cënuar ka qenë partia që unë jam pjesë e saj, por jemi munduar ti tejkalojmë këto mosmarrëveshje me qetësi dhe me pjekuri politike. Besoj se edhe kjo situatë do të tejkalohet me pjekuri dhe të gjithë do marrin përgjegjësitë që ju takojnë.

 K.D: Z. Gjeloshaj, Ju edhe pse nuk kini një stazh të gjatë si deputet në Kuvend, me aktivitete të ngjashme jeni i pranishëm në opinionin e gjerë shqiptar në Mal të Zi, bukur gjatë. Cili është mendimi Juaj, sa mund të jenë të kënaqur elektorati shqiptar me punën dhe kontributin e  përgjithshëm  të përfaqësuesve autentik, duke filluar nga jetësimi i pluralizmit në Mal të Zi, tashmë një çerekshekulli të plotë?

 N.Gjeloshaj:Unë kam më pak se dy vite në pozicionin e deputetit. Gjatëkarrieres time, kam qenë i angazhuar fillimisht në organizata joqeveritare që në atë kohë kanë qenë të pakta por kemi bërë një punë mjaft të mirë. Edhe pse kam dhënë kontribut nuk është se kam pasur ndonjë pozitë deri para dy vitesh. Unë jam i mendimit se përfaqësuesit e partive nacionale në periudha të ndryshme kanë dhënë një kontribut të madh në përmirësimin e pozitës së shqiptarëve në Mal të Zi. Nuk është aspak e logjikshme që të gjithë barrën e fajit t’ua lemë përfaqësuesve të partive shqiptare, është e drejtë dhe shumë normale të kërkohen përgjegjësi, të kritikohet puna e gjithsecilit, por gjërat nuk mund  të shikohën vetëm bardh e zi. Pozita dhe fuqia e tyre politike ka qenë e atillë që jo çdo herëështë varë nga ato realizimi i kërkesave të tyre. Duhet tu njohim meritat por edhe të bëjmë një kritikë konstruktive për punën e gjithseciitdhe gjërat mos ti përgjithësojmë.

K.D:Mes shpresës dhe realitetit ! Sa përkon angazhimi dhe  kujdesi Juaj ndaj të rinjve,  me ato që ishin pritjet tuaja  nga përfaqësuesit politik, kur ishit në këtë fazë të jetës që jemi ne sot, si të rinj  që kanë ose janë duke përfunduar   shkollimin superior?

N.Gjeloshaj:Aktivizimi im ka filluar në moshë mjaft të re, e kam menduar atëherë dhe të njëjtin mendim kam edhe sot se tërinjët janë një pasuri e madhe e çdo kombi. Energjia, vizioni, idetë dhe vullneti që i karakterizon duhet të vlerësohen. Në stafin tim kam tërinjë, kam vlerësuar idetë dhe mendimet e tyre edhe kur kanë qenë kritik ndaj meje. Jam angazhuar gjithë kohës qët’u jepet hapësira e nevojshme për të punuar, për arsye se jam i bindur se tërinjët kanë shumë për ti dhënë shoqërisë tonë. E kam thënë dhe do vazhdoj ta them se tërinjët mund të bëjnë ndryshime të mëdha dhe tani është momenti më i mirë që të vlerësojmë kontributin e atyre që gjatë kësaj periudhe kanë qenë aktiv në politikë, nga ana tjetër ata duhet të marrin përgjegjësitë që ju takojnë dhe në fund ti japim hapësirë më të madhe tërinjëve që të angazhohen në politikë dhe besoj që rezultatet nuk do të mungojnë.


  • 0

Vlerat e shekullit 21-një

Category : Trojet Shqiptare

IMG_8936

Kristjan Dukaj

Edhe pse jetojmë ne shekullin e teknologjisë, shekullin ku truri ynë është i kontrolluar nga teknologjia, ende ekzistojnë disa gjëra që shkenca, teknologjia nuk mund tu përgjigjet. Nëse një Mozart, arriti të bëhet i pavdekshëm pa këtë teknologji moderne, a do ta kishte arritur ai këtë në shekullin 21 ? Edhe pse teknologjia ka arritur një kulm të paimagjinueshëm, ende nuk kemi një Mocart të ri. Shekulli në të cilin jetojmë po na jep gjithçka përveç trurit. Atë e kemi lënë të flejë. Mbizotërimi i teknologjisë, bën që truri ynë të qëndrojë pasiv. Largimi nga leximi dhe nga natyra e gjallë është duke shkatërruar njerëzimin. Sa e dobishme aq edhe e dëmshme.
Po kthehem pak tek Mocarti, i cili vdiq në moshën 35 vjeçare. Ishe një njeri që bëri një revolucion në mbarë botën. Vetëm në moshën 6 vjeçare filloi të dalë nëpër skenat evropiane. Edhe pse pa ndonjë teknologji të përsosur, truri dhe aftësitë e tija arritën që të shkaktojnë një bujë në mbarë botën. Aftësitë e tija, bënë që edhe sot, në shekullin 21 ku muzika moderne është duke kapërcyer çdo kufi, ai ende qëndron i pavdekshëm sa i përket vlerave të muzikës klasike. Dëshira për të prekur majat, ishin të paimagjinueshme për të. Ndërsa sot, jetojmë në një dhomë në të cilën jemi të rrethuar nga teknologjia dhe bota moderne. Mirëpo, sa e dëmshme është kjo dhomë ? Edhe pse sot, mundësitë për të arritur majat janë shumë më të lehta, sepse përdorimi i rrjeteve sociale, portaleve të ndryshme, i jep mundësi çdo njeriu që të jetë pjesë e botës. Bota, është bërë një fshat i vogël falë elementeve të lartëpërmendura. Mirëpo, sipas shumë mendimtarëve që merrem me marrëdhëniet ndërkombëtare, teknologjinë, e shohin si faktor të domosdoshëm, i cili ndihmon në zhvillimin dhe avancimin e njerëzimit. Ata gjithashtu, tregojnë se fakti që një informacion mund të përhapet në mbarë botën për pak minuta, e bën botën më të sigurtë. Një luftë, me të cilën shkrimtarët ballafaqohen çdo ditë, është fakti se, interneti (teknologjia) është duke zëvendësuar librin. Pothuajse në çdo intervistë që jep një shkrimtarë, nuk i largohet edhe kësaj çështje, duke cekur që libri nuk mund të zëvendësohet dhe duke bërë apel tek shoqëria që ta përdorin teknologjinë, por mos ti harrojnë vlerat që kanë qenë thelbi i këtij civilizimi .
Andaj, le të mendojmë se ku jemi duke shkuar, e këtë gjë më së miri mund ta shohim duke shikuar të kaluarën e njerëzimit, duke parë që në atë të kaluar, janë vërë themelet e këtij civilizimi. Duhet shikuar se në atë të shkuar kanë lindur emrat më të mëdhenj të historisë. Le të mos e harrojmë këtë fakt, të jetojmë në botën moderne, por me vlerat e të kaluarës. Sepse një shoqëri, që harron vlerat e të kaluarës, ka varrosur të ardhmen.

Kristjan Dukaj

Student për marrëdhënie ndërkombëtare dhe diplomaci
Mali i Zi


  • 0

Bashkimi i partive shqiptare e vetmja zgjidhje për Malësinë

Category : Trojet Shqiptare

IMG_8936

Kristjan Gjoke Dukaj

Të mendosh dhe të ta shprehësh atë, nuk është ndonjë “mëkat” sidomos kur këtë e bën me qëllimin më të mirë. Fati ka dashtë që përmes komunikimit të këtillë me njerëzit, përmes rrjeteve, tashmë të njohura sociale, individi është gjithnjë e më tepër pjesë aktive e shoqërisë. Shpesh ndodh që të ketë edhe ndonjë debat mes individëve që njihen ose jo, por edhe ato janë normale në kohën e komunikimit masiv. Sidomos ato që janë pa ndonjë qëllim të keq por, thjesht, për të sqaruar ndonjë çështje të parashtruar në mënyrë të vet. Është mirë kur të rinjtë, dëshirojnë të kyçen në rrjedhat e përgjithshme përmes shprehjes së lirë të opinioneve të veta për çështje të ndryshme.

Duke gjurmuar kronikat e kohës, në të kaluarën jo të largët, lexova një vështrim të datës 09.09.2010 (emetuar në RMZ-redaksia në shqip), me rastin e 20-vjetorit të LD në MZ, nga i cili mësova disa të dhëna mjaft relevante lidhur me subjektin e parë politik nacional të shqiptarëve në Mal të Zi. Sa bukur tingëllonte fakti nga përkrahja e dhënë kësaj partie nga votuesit shqiptarë, në zgjedhjet e para shumë partiake në Mal të Zi, në vitin 1990. Kjo e dëshmon më së miri nevojën e ekzistimit dhe veprimtarisë politike të strukturave nacionale në këto hapësira, në mbrojtjen dhe realizimin e interesave të popullatës shqiptare.

Prandaj, dëshirat dhe kërkesat e shumta për veprimtari të përbashkët të subjekteve politike shqiptare, duhet të jenë të mirëseardhura, në drejtimin e duhur. Sidomos, nga ata të cilët, sinqerisht, e kanë dëshmuar përkrahjen subjekteve të tilla, me qëllimin më të mirë gjithë kësaj kohe. Ata e dëshirojnë dhe ëndërrojnë veprimtarinë e përbashkët, si rrugën më të mirë drejtë realizimit të pikësynimeve të veta.

 

Kristjan Gjoke Dukaj


  • 0

PRIJËSI I KRYENGRITJES SË MALËSISË, NË TIRANË

Category : Trojet Shqiptare

Shkruan:Kristjan Gj. Dukaj

IMG_1182 Për shumë mot festa! Urim tradicional me rastin e festave në hapësirën mbarëshqiptare. Sa bukur! Me pak fjalë  por  shumë domethënëse, shqiptarët përgëzojnë njëri-tjetrin në rastet e festave; urim që reflekton dëshirë, shpresë, besim, sinqeritet dhe dashamirësi  vëllazërore.

Prandaj, edhe me rastin e 28 Nëntorit- Ditës së Pavarësisë së Shqipërisë, gëzuar e përgjithmonë  Lirinë  dhe Pavarësinë Kombëtare. Sa emocione të thella përjeton zemra shqiptare nën  tingujt e himnit kombëtar, me rastin e festës më të madhe në historinë e lavdishme të këtij populli, sa të lashtë  po aq të vuajtur,  shekuj me radhë në luftë për liri e pavarësi. Për lirinë e tokës shqiptare të trashëguar nga brezi në brez, me vlera të lavdishme dhe të përjetshme mbi themelet e vendosura nga Gjergj Kastrioti Skenderbeu dhe kulmin e vendosur në Vlorë, mbi muret e kullës  heroike të tokës arbërore. Brezi i ri, i frymëzuar nga sakrifica dhe vlera të shumta e që reflektojnë atdhedashurinë, shpresë  e besim dhe mbi të gjitha, krenari kombëtare, duke përkujtuar historinë e lavdishme, ndërton të ardhmen e vet më të bukur dhe më të sigurt në tokën e të  parëve, të quajtur Shqipëri.

28 Nëntori, është rasti më i mirë jo vetëm  në përkujtim të vlerave por edhe për tu frymëzuar në ruajtjen dhe kultivimin e tyre nëpër shekuj. Njëjtë, ishte edhe këto ditë me rastin e aktiviteteve të organizuara  në Kryeqytetin shqiptar, mes tjerash edhe në vendosjen e përmendores së Dedë Gjo’  Lulit,  prijësit të Kryengritjes së Malësisë së Madhe në vitin 1911. Kësaj ngjarje të shënuar historike e cila i parapriu ngritjes së Flamurit Kombëtar në Vlorë, një vit më vonë.

Nuk kam për qëllim që në këtë shkrim të shkurtër të thellohem në këtë  ngjarje të lavdishme  të historisë sonë, pasi për të janë shkruar  libra dhe publikuar punime të shumta shkencore,  letrare e folklorike, por 28 Nëntori i këtij viti  në kryeqytetin e shtetit tonë amë, i dha vendin e merituar këtij trimi i cili sakrifikoi gjithçka kishte për  lirinë dhe pavarësinë e tokës shqiptare.

Vendosja e përmendores së tij në  këtë vend të bukur pranë muzeut historik kombëtar, sikur na kujton një histori të tërë  e cila ruan në vete  me besnikëri  amanetin e këtij heroi mbarëkombëtar  për dashuri vëllazërore  në ruajtjen e vlerave të trashëguara dhe ndërtimin e të ardhmes së popullit shqiptar. Edhe këtë  ditë, në vigjilje të Ditës së pavarësisë, kryetrimi Dedë Gjon Luli, kishte tubuar bijtë e tokës arbërore rreth idesë së shenjtë për të festuar dhe gëzuar së bashku. Ishin tubuar këtu vëllezër të shumtë nga hapësira mbarë shqiptare, e në veçanti bashkëvendës tonë të shumtë që jetojnë larg  vendlindjes, në mërgim në nderim të kësaj ngjarje të shënuar  në Tiranë.

Të gjithë ata, u përkulën para përmendores së këtij heroi kombëtar, të cilin po atë ditë, kreu i shtetit shqiptar, Z.Bujar Nishani, e nderoi  me dekoratën e “Flamurit Kombëtar”. Në këtë mënyrë, pasardhësit e tij, pastaj të mbarë fisit  dhe kombit  në përgjithësi, dëshmuan “Besën” e njohur në këto hapësira në ruajtjen e vlerave të shenjta si frymën e shpirtit tonë kombëtar. Bashkëvendësit  tonë që jetojnë në mërgim ( Shoqatat “Malësia e Madhe”, nga  Nju Jorku,  dhe nga Michigani, në SHBA), nuk e kursyen djersën e vet  në ndërtimin e përmendores  në shenjë mirënjohjeje për sakrificën më të madhe të Dedë Gjon Lulit për lirinë e këtyre trojeve. Shumë nga ata, edhe pse jetojnë larg  vendlindjes, kishin ardhur  atë ditë në Tiranë, të përjetojnë   këtë moment të paharruar së bashku me vëllezërit e vet  në respekt të kaluarës sonë të lavdishme, e cila i flet të tashmes dhe të ardhmes sonë.


  • 0

Copetimi i Shqiperise

Category : Trojet Shqiptare

Lufta Ruso-Turke (1877-1878) i cënoi rëndë zotërimet osmane në Gadishullin Ballkanik, duke e lënë perandorinë vetëm të mbahej në pozicione të pasigurta në Maqedoni dhe në trojet e banuara nga shqiptarët. Në anën tjetë i dha një frymëmarrje shumë të gjërë shteteve dhe popullsive ortodokse, për analogji me Rusinë që tashmë konsolidoheshin ne shtetet fqinje që njëkohësisht e përdorën si një armë propagande edhe kundër kombeve si ai shqiptar. Shqiptarët në atë kohë banonin në katër vilajetet e Shkodrës, Kosovës, Manastirit dhe Janinës. Llogaritet se nga 2 500 000 banorë që kishin këto vilajete, 2 milionë ishin shqiptarë, dhe pjesa tjetër vllehë, maqedonas sllavë, grekë dhe romë. Shqiptarët ishin shumica absolute në të katërt vilajetet.[4]

Copëtimi i parë: Kongresi i Berlinit

Copëtimi i parë i trojeve shqiptare u realizua pas vendimeve të Kongresit të Berlinit për të shpërblyer Malin e Zi me Plavën e Gucinë. Gjatë kësaj kohe, iu kaluan Serbisë zonat e Toplicës, Prokuples, Kurshumlisë, Nishit, Vranjes dhe Leskovacit. Popullsia shqiptare në këto zona u përzu me dhunë, dhe e gjithë u spastrua etnikisht nga shqiptarët, duke krijuar 70 000 refugjatë shqiptarë nga këto zona që u vendosën në Kosovë e 60 000 të tjerë që u vendosëm në zonën që sot është në Maqedoni.[5] Kongresi i Berlinit i dha Malit të Zi dhe qytetin e Tivarit dhe Podgoricën, ku gjithashtu kishte popullata shqiptare.

Për t’i bërë ballë copëtimit të trojeve shqiptare, u krijua Lidhja e Prizrenit, e cila kundërshtoi me armë aneksimin e trojeve shqiptare. Luftime të rrepta u zhvilluan në Plave e Guci, ku sipas burimeve të kohës “zona kufitare u mbulua me gjak”. Forcat malazeze nuk mundën të marrin Plavën e Gucinë dhe kërkuan nga Kongresi i Berlinit një zonë tjetër. Kongresi caktoi Hotin e Grudën, ku sërish pat luftime të përgjakshme dhe forcat malazeze nuk arritën të thyejnë qëndresën shqiptare. Kongresi atëherë i dha Ulqinin Malit të Zi. Forcat e Lidhjes së Prizrenit në Ulqin u ndodhën para sulmeve të ushtrisë malazeze dhe nga lindja nga sulmet e ushtrisë Osmane, e cila u dërgua nga Sulltani për të shtypur Lidhjen dhe për të dorëzuar Ulqinin te malazezët. Shqiptarët u tërhoqën dhe u mundën nga forcat e shumta osmane të udhëhequra nga Dervish Pasha, të cilat shkatërruan Lidhjen e Prizrenit në një sërë betejash.

Gjatë copëtimit të parë, shqiptarët humbën zonat veriore të Toplicës, Pazarit të Ri, Nishit, Ulqinin dhe disa territore në jug të Çamërisë.

Copëtimi i dytë: Konferenca e Ambasadorëve në Londër

Skeda:Shqipëria-e-madhe.gif

Harta e Shqipërisë sipas Qeverisë së Vlorës së 1912, e kryesuar nga I.Qemali; Harta e Shqipërisë e vendosur në Londër në 1913; dhe harta e propozuar nga fqinjët e Shqipërisë

Kryengritjet e armatosura të shqiptarëve të viteve 1910, 1911, 1912, nxitën shtetet ballkanike që të vepronin me shpejtësi në copëtimin e trojeve shqiptare. [6] Serbia, Bullgaria, Mali i Zi dhe Greqia lidhën aleanca poltike dhe ushtarake ndërmjet tyre dhe në tetor të vitit 1912, ato i shpallën luftë Perandorisë Osmane duke shënuar kështu fillimin e Luftës së Parë Ballkanike. Shqiptarët mbajtën një qëndrim asnjanës në këtë luftë, por u shqetësuan kur shihnin se shtetet ballkanike synonin ndarjen e territoreve shqiptare. Për pasojë shqiptarët mbajtën një kuvend në Vlorë dhe me 28 nëntor 1912 shpallën Pavarësinë e Shqipërisë. Pavarësia nuk u njoh nga disa vende kurse Serbia, Mali i Zi dhe Greqia vazhduan t’i mbanin trupat e tyre në territoret shqiptare. Gjatë kësaj kohe u kryen masakra të tmerrshme mbi popullsinë civile shqiptare. Leon Trocki, i dërguar si korrespondent mbi Ballkanin, tregon se si “fshatra të tërë shqiptarë ishin kthyer në grumbuj zjarri. Nga kufiri me Serbine e deri në Shkup shihje vetëm zjarr e plaçkitje…”. Sipas burimeve të huaja, rreth 25 mijë shqiptarë u vranë vetëm në Kosovë në muajt nëntor 1912-janar 1913[7].

Më 17 dhjetor 1912 në Londër u mblodhën Fuqitë e Mëdha të kohës të cilat diskutuan për fatin e Shqipërisë. Më 29 korrik 1913 u mor vendimi që Shqipëria të shpallej principatë autonome, sovrane e trashëgueshme nën garancinë e Fuqive të Mëdha. Ndërsa kufijtë, pas shumë diskutimesh u caktuan por duke lënë jashtë tyre Kosovën dhe Çamërinë,.por duke lënë brenda kufijve territore që sot jane janë jashte kufijve shtetërorë të Shqipërisë si p.sh. Shën Naumi

Pasojat

Të gjendur nën pushtimin e ushtrive serbe, malazeze e greke, me qindra mijëra shqiptarë nga troje që sot gjendjen në Mal të Zi, Serbi, Kosovë, Maqedoni e Greqi, more rrugën e u dyndën si refugjatë brenda kufijve të njohur nga Konferenca e Londrës. Në të gjitha trojet shqiptare u kryen masakra të mëdha në popullsinë civile, dhe u krye spastrim etnik me qëllim përzënien ose eliminimin e popullsisë shqiptare.[8] Copëtimi i trojeve shqiptare la jashtë kufijve më shumë se gjysmën e territoreve të banuara nga shqiptarët historikisht, dhe më shumë gjysmën e popullsisë shqiptare të asaj kohe. Në Kosovë, trupat serbe ushtruan terror dhe u munduan ta ndërrojnë përbërjen e popullsisë me anë të shpërnguljeve me dhunë. Gjuha shqipe u ndalua, dhe dhjetëra mijëra serbe kolonë u vendosën në tokat e shqiptarëve të vrarë ose të përzënë. Më shumë se 150 000 shqiptarë u detyruan të lenë Kosovën në vitet 1912-1920[9] [10].

Trojet etnike historike shqipare

Shumica e tyre u vendosën në Shqipëri, në zonat e Fierit, Lushnjës, Durrësit, e Kukësit. Po ashtu, popullsia çame u spastrua në përmasa të mëdha, duke lënë në Çamërivetëm një pjesë të popullsisë çame të besimit ortodoks, që sot numëron 30-70 mijë banorë në Çamëri. Pasoja e këtij copëtimi ende ndjehen në kombin shqiptar, ku shembujt më të freskët janë Lufta e Kosovës në 1998-1999, dhe rebelimi i armatosur në Maqedoni në 2001-shin.

Gjendja aktuale

Copëtimi i Shqipërisë është një barrë e rëndë për kombin shqiptar, e cila ka shtyrë shumë atdhetarë që pas copëtimit të punojnë politikisht e me përpjekje të armatosur, për ribashkimin e kombit shqiptar. Kjo i dha jetë dhe çështjes kombëtare shqiptare, ribashkimit të trojeve etnike shqiptare të copëtuara në 1913-ën. Mendimi i publikut në Shqipëri e Kosovë rreth ribashkimit të Shqipërisë ka ardhur duke i rritur, sidomos vitet e fundit. Në 2011-ën, sipas Gallup Balkan Monitor, 75% e të anketuarve në Shqipëri dhe 68% e të anketuarve në Kosovë, mbështesin ribashkimin kombëtar. Çështja kombëtare tashmë është e përfaqësuar dhe politikisht nga parti politike si VetëvendosjaKosovë dheAleanca Kuq e ZiShqipëri, në programin e të cilave është ribashkimi i trojeve shqiptare në një shtet.